Kenga e Alfabetit Shqip
“Teksti eshte shkruar nga Parashqevi Qiriazi. Muzika eshte adaptuar nga nje marsh i Revolucionit francez. Kenga per here te pare u kenduar ne mitingun e shkronjave ne Korce, me 14 shkurt 1910, ku u mblodhen rreth 15.000 pjesemarres, te cilet kerkonin shkrimin e shqipes me germa latine. Aty, kenga u interpretua nga “Banda e Lirise”, themeluar ne Korce ne 1 tetor 1908, me kryetar patriotin Pandeli Cale, nenshkrues i aktit te Pavaresise dhe Ministri i Bujqesise, Tregtise dhe Industrise me 1912.”
Më poshtë po japim përshtypjet e Sevasti Qiriazit nga ceremonia e Diplomimit të saj në Robert College, ku ishte i pranishëm dhe rilindasi Naim Frashëri:
“Para se të afronemi, disa nga këta më heqin vërejtjen, po më tepër një njeri, i cili ndonëse qe me shtat të mesmë dhe i imët, kishte fytyrë fortë të qetë dhe tërheqëse. — Si u përshëndoshmë me të gjithë, Naimi më afëronet dhe pasi më përshëndoshi edhe një herë, më thotë këto fjalë, të cilat edhe janë të gjalla në zemrën t’ime. Fjalë që tronditnë shpirtin e të gjithëve atyre që e dëgjuanë. Fjalë plot enthusiazmë; dhe flakë që derdheshin prej një zëmre plot ideale të nalta.
“Motër, punë më të mirë dhe më të vyerë nuk mund të bësh për Shqipërinë përveç asaj që keni ndërmend të bëni bashkë me vëllanë tuaj dhe mikun tim të dashur. Po unë dua të shtonj vetëm dy fjalë; paskëtaj nisi detyrat e tua më të mëdhatë dhe në qofsh besnikë ke për të bërë më të mëdhatë vepra për atdhenë. Pengime dhe turbullime shumë, edhe të mëdha, do të keni në këtë udhë që po jeni nisë, por si trimë shqipëtarë i ke për t’i kapërxyerë të gjitha. Të gjithë do të vinë nënë hijen tënde, i frymëzo me ideale të lartë e të vërteta që të harrijnë një arësim të vërtetë dhe kështu ta bëjnë brezin tonë të pushtojnë ata virtyta që ta bëjnë gati që të çpëtojnë kombin nga padija dhe ta ngrenë dhe lartësojnë atë”
Këshillat e tija të vlefshme më bënë, si thashë edhe më sipër, një përshtypje të thellë dhe më kanë qenë krahë që kur se hyra në fushën kombëtare.
Kombi shqiptar kurrë do të mos harronjë veprat e këtij biri të math si edhe të shokëve të tij. Ndë mos paçin gjer më sot përmendëtore prej numëri, kanë nga një përmendëtore në zëmër të çdo atdhetari.
Naim Frashëri kish atë fuqi që të frymëzonjë idealet e tija të tjerëvet dhe i bënte të kuptojnë detyrat e tyre kundrejt atdheut. Shpirti i madh është gjithmonë ay që mbretëron.
Punën e tyre na e dorëzuan që ta bëjmë me një mënyrë tjetër, por jo kurrë me tjetër shpirt, por me atë shpirt si të tyren.
[Kujtimet e Sevasti Qiriazit, çasti i diplomimit në Robert College, Stamboll.
AQSH i RSH, F.38, d.3,fl.15-18, origjinal,shtypshkrim shqip.]














